
Të paktën katër persona e kanë humbur jetën dhe dy të tjerë u plagosën si pasojë e rrëzimit të një avioni ushtarak në rajonin Almaty të Kazakistanit, transmeton Insajderi.
Në një deklaratë nga aeroporti në Almaty thuhet se avioni ushtarak An-26 u zhduk nga radarët në orën 17:20 sipas kohës lokale gjatë fluturimit në relacionin Nur-Sultan-Almaty. Avioni që i përkiste Shërbimit Kufitar të Komitetit Kombëtar të Inteligjencës së Kazakistanit u rrëzua gjatë uljes emergjente, raporton Anadolu Agency (AA).
Në aksident katër nga gjashtë personat në avion humbën jetën ndërsa dy të tjerët e plagosur u dërguan në spital.
Departamenti i Situatave Emergjente në Almaty njoftoi se në rajon janë dërguar ekipe për të hetuar shkakun e aksidentit. /Insajderi.com