Nga rritja enorme e listave deri te ngritja e aktakuzës për mashtrim – Sa veteranë janë të vërtetë?

Nga rritja enorme e listave deri te ngritja e aktakuzës për mashtrim – Sa veteranë janë të vërtetë?

EULEX sot ka ngritur aktakuzë ndaj gjashtë personave për disa vepra penale, përfshirë këtu edhe dyshimet se kanë ushtruar ndikimin e tyre që në këmbim të pagesave deri në 1 mijë Euro, të sigurohet statusi dhe pensioni i veteranit të UÇK-së.

Numri i përfituesve të pensionit të veteranëve tashmë ka arritur në 37 mijë e 44 veteranë, pasi që në tre muajt e parë të këtij viti listës i janë shtuar edhe 2515  veteranë të rinj.

Në vitin 2016 Qeveria e Kosovës, pati shqyrtuar raportin e komisioni qeveritar për verifikimin e statusit të dëshmorëve, veteranëve dhe invalidëve të luftës.

Ky komision pas përfundimit të punës kishte dal me konstatimin se janë se numri i tyre është 46 mijë e 230.

Kryeministri i atëhershëm Isa Mustafa pati deklaruar se ky numër i tejkalon të gjitha parashikimet dhe qëndrueshmërinë buxhetore.

“Kemi qëndrim të prerë te FMN-së. Por, me rëndësi është të përmbyllet kjo evidencë dhe çështjet të mbesin për t’u trajtuar në të ardhmen. Raportin si të tillë e pranojmë por çështjet mbesin që më tutje të rregullohen”, tha ai.

Menjëherë pati reagime nga Fondi Monetar Ndërkombëtar.

FMN kishte kërkuar nga kryeministri Isa Mustafa që të ketë kujdes me paratë që po i ndan për veteranët. Sipas këtij institucioni në buxhet ishin paraparë 60 milionë euro për këtë kategori, derisa shpenzimet mund të shkojnë deri në 100 milionë.

FMN në vazhdimësi pati kërkesa ndaj institucioneve lidhur me veteranët. Njëra ndër to ka qenë edhe nisja e zbatimit të Ligjit të ndryshuar të veteranëve dhe amendamentimin e Ligjit për invalidët e luftës, para se të përmbyllë programin me Kosovën.

Ky numër është rritur 100%, krahasuar me të dhënat e organizatës IOM  e cila po ndihmonte në de-militarizimin e UÇK-së ne prag te demilitarizimit ne 1999, e që janë përdorur në një punim të gazetares dhe ish-këshilltares së Presidentes Atifete Jahjaga, Garantina Kraja.

Sipas këtyre të dhënave të IOM UÇK i ka pas 24,577 pjesëtarë, madje janë të ndara edhe për secilin rajon veç e veç.

Kritikave të mëdha për numrin e madh të veteranëve u ishte përgjigjur kryetari i Komisionit për verifikimin e tyre Agim Çeku.

Çeku pati thënë se asnjë nga personat të cilëve u ishte pranuar statusi i veteranit nuk është caktuar nga ai, por se kanë qenë ish- komandantët të cilët ia kanë dërguar listat me emra.

“Është e vërtetë se numri ka dal më i madh se që kemi prit, por unë si kryetar i këtij komisioni e kam menaxhuar këtë proces dhe nuk ka veteranë që unë ia kam nënshkruar statusin, çdo veterani statusin ia ka caktuar  dhe nënshkruar komandantët e tyre, duke filluar nga komandantët e kompanisë, të batalioneve, brigadave e zonave dhe mu m’i kanë pru si kryetar i komisionit, komandantët apo përfaqësuesi i zonave të cilët kanë qenë anëtarët e komisionit dhe ata mi kanë pru listat dhe unë normal që bashkëpunëtorëve të mi ju besoj dhe i kam nënshkruar ato”, pati thënë Çeku.

Në qershor të vitit 2016 zyra e Kryeprokurorit të Shtetit, pati autorizuar prokuroritë kompetente, për fillimin e grumbullimit të informatave të nevojshme për të përcaktuar nëse ka vend për inicimin formal të hetimeve, në lidhje me rastet individuale të keqpërdorimeve eventuale që kanë mundur të ndodhin gjatë hartimit të listave të veteranëve të UÇK-së.

Sot është ngritur aktakuza e parë për dyshimet se gjashtë persona kanë ushtruar ndikimin e tyre që në këmbim të pagesave deri në 1 mijë Euro, të sigurohet statusi dhe pensioni i veteranit të UÇK-së./Insajderi.com

Lista e veteranëve u rrit edhe gjatë këtij viti – ky është numri që u shtua

Ngritet aktakuzë për mashtrim në listat e veteranëve dhe seks me pagesë