Së paku katër persona e kanë humbur jetën në zjarrin që sot në mëngjes shpërtheu në një spital në kryeqytetin e Rumanisë, Bukuresht, ku po kurohen edhe pacientë me COVID-19, transmeton Insajderi.
Zjarri shpërtheu rreth orës pesë të mëngjesit në përdhesen e spitalit ndërsa janë evakuuar më shumë se 100 persona, raporton Anadolu Agency (AA).
Në zjarrin, që u fik, ka të lënduar por nuk dihet numri i saktë, bëhet e ditur nga shërbimi emergjent i Rumanisë. Ende nuk dihet shkaku i zjarrit.
“Gjetëm flakë në katin përdhesë të ndërtesës. Kishte shumë tym dhe ekzistonte shansi që zjarri të përhapej edhe në katin e dytë”, tha Orlando Schiopu, komandant i njësisë intervenuese në vendin e ngjarjes.
Read Arafat, shef i shërbimit urgjent, tha se të gjitha viktimat janë pacientë.
“Tre prej tyre veç ishin të vdekur kur u gjetën ndërsa ekipet e shpëtimit tentuan të rianimojnë viktimën e katërt, por nuk ia dolën”, tha ai.
Disa orë më vonë, automjetet e ndihmës së shpejtë dhe automjetet e zjarrfikësit mund të shiheshin të parkuara para spitalit.
Ky vend ballkanik me rreth 19 milionë banorë ka regjistruar deri më tani më shumë se 700 mijë raste me COVID-19 dhe 18 mijë viktima. /Insajderi.com