Nga sot shpenzimet e Kartonit të Gjelbër për bashkatdhetarët mbulohen nga Qeveria

Nga sot shpenzimet e Kartonit të Gjelbër për bashkatdhetarët mbulohen nga Qeveria

Byroja Kosovare e Sigurimit ka njoftuar të gjithë bashkë-atdhetarët se nga sot Qeveria e Kosovës ka marrë përsipër mbulimin e plotë të Sigurimit Kufitar mbi palët të cilët janë subjekt i kësaj police gjatë hyrjes në Kosovë, njofton Insajderi.

Sipas BKS-së, bazuar në memorandumin e arritur ndërmjet Ministrisë së Financave, Ministrisë së Punëve të Brendshme, BQK-së dhe BKS-së, bashkatdhetarët mund të pajisen me policë të Sigurimit Kufitar vetëm në pesë vendkalime kufitare, por për të bërë sa më të lehtë ardhjen e tyre, BKS ka përgatitur infrastrukturën e nevojshme në një afat jashtëzakonisht të shkurtë që bashkatdhetarët të kenë mundësi të pajisen me policë të subvencionuar nga Qeveria e Kosovës në të gjitha vendkalimet kufitare të Kosovës.

“Polica e sigurimit bëhet efektive në momentin e lëshimit dhe pranimit nga i siguruari dhe është valide një muaj nga data e lëshimit. Subvencionimi nga Qeveria e Kosovës nuk zbatohet për automjetet /motoçikletat e regjistruara në Republikën e Malit të Zi, Republikën e Maqedonisë së Veriut dhe Republikën e Serbisë”, thuhet në njoftim.

BKS thotë se subvencionimi nga Qeveria e Kosovës nuk zbatohet për të gjitha llojet e mjeteve motorike me të cilat zhvillohet veprimtari ekonomike – të regjistruara në emër të personave juridik./Insajderi.com