Të paktën gjashtë civilë, përfshirë një fëmijë dhe një grua, u vranë dhe 15 të tjerë u plagosën në një sulm nga forcat e regjimit të Bashar al-Asadit dhe grupeve terroriste të mbështetura nga Irani në Idlib të Sirisë veriore, transmeton Insajderi.
Sulmi artilerik shënjestroi një spital në qytetin Al Atarib, i cili bën pjesë brenda zonës së deeskalimit, tha për AA Ibrahim Abu Layis, kreu i zyrës për media të Mbrojtjes Civile (Helmetat e Bardha), raporton Anadolu Agency (AA).
“Si rezultat i sulmit, gjashtë civilë, përfshirë një fëmijë dhe një grua, humbën jetën. 15 njerëz u plagosën, katër prej tyre në gjendje kritike”, tha ai, duke shtuar se ekipet e mbrojtjes civile dërguan të plagosurit në spitalet në afërsi.
Zona e deeskalimit në Idlib u krijua sipas një marrëveshjeje midis Turqisë dhe Rusisë. Zona ka qenë subjekt i marrëveshjeve të shumta të armëpushimit, të cilat shpesh janë shkelur nga regjimi i Asadit dhe aleatët e tij. /Insajderi.com