Avionët luftarakë izraelitë ndërmorën sulme ajrore në Sirinë lindore, duke vrarë të paktën 25 persona, sipas burimeve siriane dhe irakiane, transmeton Insajderi.
Burime lokale për AA theksuan se sulmet ajrore izraelite kishin për objektiv disa lokacione ku janë fraksionet shiite pro-iraniane në Deir ez-Zor, raporton Anadolu Agency (AA).
Më herët të mërkurën agjencia shtetërore e lajmeve SANA, duke cituar një burim ushtarak, tha se sulmet kishin në shënjestër qytetin e Deir ez-Zor dhe rrethin Al-Bukamal në Sirinë juglindore pranë kufirit me Irakun.
Agjencia nuk dha detaje të mëtejshme rreth objektivave ose viktimave.
Një burim ushtarak irakian po ashtu tha se sulmet izraelite shënjestruan pozitat e forcave të regjimit sirian dhe milicive pro-iraniane përgjatë vijës kufitare midis Sirisë dhe Irakut.
Burimi tha se 13 persona humbën jetën dhe dhjetëra u plagosën në sulmet.
Nuk kishte asnjë prononcim nga ushtria siriane për sulmet.
Muajin e kaluar, ushtria izraelite tha se ka sulmuar 50 objektiva në të gjithë Sirinë në vitin 2020.
Avionët luftarakë izraelitë shpesh kryejnë sulme ajrore në Sirinë lindore, ku grupet pro-Iranit kanë një prani ushtarake në zonë. /Insajderi.com