Nga Turan te Munir, 8 largimet e Valverdes nga Barça

Nga Turan te Munir, 8 largimet e Valverdes nga Barça

Sapo të përfundojnë pushimet, te Barcelona do të nisë epoka e Ernesto Valverdes. Klubi katalan ka nisur punën për tu përforcuar, një proçes që kërkon gjithashtu edhe riformatimin e skuadrës. Mes atyre që pritet ti japin lamtumirën “Camp Nou” janë edhe emra të rëndësishëm si Arda Turam dhe Jeremy Mathieu, për një total prej tetë largimesh.

Spastrimi do të nisë nga porta, aty ku Jordi Masip qëndron prej tre sezonesh si alternativë e tretë. Kontrata e tij përfundon në 30 Qershor dhe klubi nuk do t’ia rinovojë, duke e lejuar të largohet me parametër zero. Barcelona synon rinovimin e ekipit dhe afrimin e lojtarëve në moshë te re. Kjo është edhe arsyeja e shitjes së Jeremy Mathieu, për të cilin në vitin 2014 u paguan 20 milionë euro te Valencia. Për francezin, vlera e të cilit përllogaritet në 3 milionë euro, interesohen gjigandët e Fenerbahçes.

Thomas Vermaelen nuk do të kthehet te Barça, pas huazimit nga Roma. Lojtari i blerë për 15 milionë euro nga Arsenali nuk bindi as në Olimpico dhe katalanët janë gati ti prishin përpara kohe kontratën, në mënyrë që belgu të pranojë ofertën e Besiktas. Në mbrojtje do të largohet edhe Douglas Pereira dos Santos, braziliani që u huazua te Sporting Gijón dhe për të cilin duhet gjetur një klub i ri.

Përsa i takon mesfushës, emri më i rëndësishëm që do të shitet është Arda Turan. Turku nuk hyn në projektet e Valverdes dhe Barcelona shpreson të rikuperojë një pjesë të mirë të mbi 40 milionë eurove që shpenzoi për ta afruar nga Atletico Madrid, njofton supersport.

Pas një viti e gjysmë huazim te Fiorentina, Cristian Tello e mbylli aventurën në Itali. Kontrata e mesfushorit me katalanët skadon në vitin 2018, ndërsa për shërbimet e tij interesohet Olympiacosi i Besnik Hasit. Pas huazimit te Granada, do të kërkohet një tjetër skuadër për Sergi Samper me Girona-n që është e interesuar, ndërsa nga sulmuesit Munir El Haddadi kthehet nga huazimi te Valencia dhe mund të transmetohet te Real Sociedad.