“Nike” shiten për 437 mijë dollarë

“Nike” shiten për 437 mijë dollarë

Një palë këpucë të rralla të kompanisë “Nike” janë shitur me çmim rekord prej 437 mijë dollarësh në Nju Jork.

Këpucët e llojit “Nike Waffle Racing Flat Moon”, të prodhuara në vitin 1972, pritej të shiteshin për 160 mijë dollarë, por u shitën për një çmim shumë më të lartë.

Kështu, koleksionuesi kanadez, Miles Nadal, e pagoi një çmim gati trefish më të lartë për këto këpucë, ndërsa i shpenzoi 850 mijë dollarë për gjësende të tjera, që ishin vënë në shitje në ankand.

Këto mbathje ishin dizajnuar nga Bill Bowerman-i, i cili ishte bashkëthemelues i kompanisë “Nike” dhe trajner sportiv.

Vetëm 12 palë mbathje të tilla ishin prodhuar me dorë dhe iu ishin dhuruar vrapuesve të Lojërave Olimpike të vitit 1972, ndërsa këpucët e shitura në këtë ankand besohet se janë të vetmet që nuk janë përdorur asnjëherë.

Pronari i ri i këpucëve, i cili e drejton një firmë investimesh, tha se është shumë i kënaqur me blerjen që ka bërë, duke thënë se këto mbathje janë artefakt i vërtetë në historinë e sportit, shkruan “BBC”, transmeton Gazeta Express.