Nisin hetimet në Ukrainë për mbikëqyrje të paligjshme të ish-ambasadores amerikane

Kievi i ka kërkuar Byrosë federale të Hetimit (FBI) ndihmë për të hetuar një sulm të dyshuar kibernetikë të hakerave të ushtrisë ruse ndaj kompanisë energjetike "Burisma". Njoftimi u bë të enjten nga një zyrtar i ministrisë së Brendshme të Ukrainës.

Nisin hetimet në Ukrainë për mbikëqyrje të paligjshme të ish-ambasadores amerikane

Kompania “Burisma Holdings” ishte në qendër të përpjekjeve të Presidentit Donald Trump korrikun e kaluar për të bindur autoritetet në Kiev që të nisnin një hetim ndaj Hunter Bidenit, djalit të kandidatit për president në radhët e demokratëve Joe Biden.

“Vihet re se sulmi i hakerave ka shumë të ngjarë të ketë ndodhur në bashkëpunim me shërbimet speciale ruse”, tha zoti Artyom Minyailo gjatë një njoftimi për median. Hunter Biden ka qenë anëtar i bordit të Burisma-s. Por lidhur me veprimtarinë e tij në këtë kompani nuk ka pas asnjë provë për shkelje të ligjit si nga ana e tij ashtu edhe nga ish-Nënpresidenti Joe Biden. Ky i fundit i ka hedhur poshtë akuzat e presidentit Donald Trump për korrupsion.

Ministria e Brendshme e Ukrainës njoftoi gjithashtu nisjen e një hetimi për vëzhgim të mundshëm të paligjshëm të ish-ambasadores amerikane në Kiev Marie Yovanovitch një zhvillim që u nxit nga publikimi këtë javë prej Kongresit i disa dokumenteve mbi këtë çështje.