Kryetarja e Dhomës së Përfaqësuesve në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Nancy Pelosi, ka njoftuar se Kongresi do të krijojë një komision të pavarur për të hetuar rebelimin vdekjeprurës që ndodhi në Capitol Hill më 6 janar, nga mbështetësit e ish-presidentit amerikan, Donald Trump, transmeton Insajderi.
Ajo ka thënë se komisioni do të “hetojë dhe raportojë mbi faktet dhe shkaqet në lidhje me sulmin”.
Në një letër drejtuar ligjvënësve, Pelosi është shprehur se komisioni do të modelohej nga hetimi mbi sulmet e 11 shtatorit 2001 ndaj New Yorkut dhe Pentagonit.
“Ne duhet të arrijmë në të vërtetën se si ndodhi kjo,” tha ajo.
Ish-presidenti Trump u lirua nga akuzat e Senatit për nxitje të dhunës, raporton BBC.
Por demokratët dhe disa republikanë kanë mbështetur një hetim të pavarur mbi trazirat, të cilat lanë pesë njerëz të vdekur./Insajderi.com