Sasia e derivateve të naftës, që mund të blihet në tregun e Kosovës, është e kufizuar në disa të pika të shitjes.
Pronari i një kompanie që shet karburante në Skenderaj, ka thënë për Shqip.com se me shumicë nuk mund të shet më shumë se 20 litra.
Madje, këtë vendim e ka marrë që nga dita e shtunë e 6 marsit.
Përveç kufizimit, ai tregon se çmimet janë rritur sërish.
“Edhe sot çmimi ka ndryshuar tash është 1.82 centë. Çmimi është i lartë”.
Berjani: Naftë do të ketë por jo me bollëk
Se vendi do të përballet me mungesë të naftës, e konfirmon edhe kryetari i Shoqatës së Naftëtarëve të Kosovës, Fadil Berjani.
“Tërë regjioni është në krizë të naftës dhe ka mundësi që javën e ardhshme të ketë zgjidhje, mungesë nuk do të këtë por as me bollëk jo”, tha Berjani për Shqip.com.
Aktualisht një litër naftë është duke u shitur për rreth 1.82 euro, ndërkaq benzina deri në 1.67 euro, varësisht nga operatori ekonomik dhe lokacioni.
Me qëllim të mbrojtjes së konsumatorëve nga lëvizjet e mëdha të çmimeve dhe eliminimit të çrregullimeve në treg me naftë dhe derivate të naftës në Kosovë, Qeveria e Kosovës mori vendim që të përcaktohet marzha e fitimit.
Sipas këtij vendimi, marzha më e lartë tregtare të jetë deri në 4 për qind të çmimit të shitjes, ndërkaq te shitësit me pakicë marzha më e lartë deri në 6 për qind./Insajderi.com