Holanda, një shtet i fortë, me një demokraci të mirë-konsoliduar, me sistem shumë të organizuar dhe një fond të madh për shëndetësinë, megjithatë ka arritur që vetëm sot, e mërkure, 10 ditë pas shteteve të tjera fqinje dhe gati një muaj pas Britanisë së madhe që të fillojë vaksinimin e qytetarëve të saj.
Kjo ka bërë që qeveria holandeze të vihet para kritikave të mëdha. Një ish-zyrtar i shëndetësisë, Roel Coutinho, ka thënë se kjo strategji është “e turpshme” dhe se këto vonesa “do të kushtojnë me jetë njerëzish”.
Në një debat të ashpër në parlament, politikanët e opozitës e kanë përshkruar qasjen e qeverisë si “kaotike dhe konfuze”.
“Një keq-menaxhim i tmerrshëm i qeverisë”, ka thënë një doktor i një spitali, shkruan BBC.
“Kemi pasur një vit që të bëjmë planifikimin dhe të përgatitemi me logjistikë, por po i marrim vaksinat vetëm në momentin e fundit”.
Si të “turpshme”, e ka konsideruar situatën Arjen Joosse, një onkolog holandez.
“Tepër ngadalë në përgatitje dhe me zgjedhje të gabuara”.
Arsyetimi i ministrit të Shëndetësisë, Hugo de Jonge, ka qenë që Holanda ka dashur që gjithçka ta bëjë sigurt dhe jo si Britania e Madhe që i ka bërë disa shkurtime në proces vetëm që ta fillojë vaksinimin më herët.
Ai gjithashtu ka thënë se kjo “nuk duhet të shihet si garë” me shtetet tjera./Insajderi.com