Një oficer nga misioni në Afrikë me evakuim mjekësor do të sillet në Shkup

Një oficer nga misioni në Afrikë me evakuim mjekësor do të sillet në Shkup

Ministrja e Mbrojtjes në Maqedoninë e Veriut, Radmilla Shekerinska, konfirmoi se një oficer i Armatës maqedone, i cili po merr pjesë në Misionin e Bashkimit Evropian, në Republikën e Afrikës Qendrore (RAQ) sonte, e martë, do të arrijë në Shkup me evakuim mjekësor.

“Një nga pjesëtarët tanë të Armatës, nënkolonel i cili merr pjesë në misionin evropian në Republikën e Afrikës Qendrore, javën e kaluar ishte testuar dhe kishte rezultuar pozitiv në Coronavirus, dhe pasi situata nuk ishte përjetuar nga ana e ekspertëve mjekësorë si tërësisht nën kontroll, me rekomandim të ekspertëve mjekësorë në kuadër të misionit të BE-së, ai me evakuim mjekësor do të sillet në shtëpi, në Shkup, supozoj sonte vonë. Këtë evakuim mjekësor e bëmë në bashkëpunim me shërbimet evropiane për marrëdhënie të jashtme”, tha Shekerinska.

Ajo i falënderoi të gjitha institucionet të cilat ndihmuan në evakuimin e pjesëtarit të ARM-së.

Ndërsa, Ministri i Shëndetësisë, Venko Filipçe, deklaroi se pjesëtari i ARM-së do të hospitalizohet në Klinikën Infektive në Shkup.

Oficeri i sëmurë ishte në Republikën e Afrikës Qendrore në rolin e trajnuesit të forcave ushtarake lokale, bashkë me edhe një koleg të tij nga Maqedonia e Veriut./Insajderi.com