
Ministria e Mbrojtjes e Turqisë ka njoftuar se një pilot turk ka humbur jetën kur një aeroplan ushtarak u rrëzua në Turqinë qendrore, transmeton Insajderi.
“Aeroplani NF-5 që i përket Forcës sonë Ajrore, i cili ishte në një fluturim stërvitor në Konia, pësoi një aksident në ora 14:15 për arsye të panjohura”, njoftoi Ministria në Twitter.
Ministria bëri të ditur se ka nisur hetim lidhur me aksidentin, raporton Anadolu Agency (AA).
Ministria gjithashtu tha se aeroplani i përkiste “Turk Stars”, ekipi demonstrues aerobatik i Forcave Ajrore Turke.
Ekipet e urgjencës u dërguan në vend pasi avioni u rrëzua në lagjen Fevzi Cakmak në rrethin Karatay, sipas burimeve lokale.
Pas aksidentit, presidenti turk, Recep Tajjip Erdoğan, në një postim në Twitter i përcolli ngushëllime familjes së tij. /Insajderi.com