Ushtria amerikane goditi të premten një bazë ushtarake të ushtrisë siriane. Presidenti Donald Trump e bëri të qartë se goditjet ishin një kundërpërgjigje ndaj sulmit me agjent kimik që la dhjetëra të vrarë, përfshirë gra dhe fëmijë. Për Presidentin Trump, sulmi me armë kimike kapërcente “vijën e kuqe”. Çfarë nënkupton vija e kuqe dhe si u interpretua sulmi i fundit nga administrata aktuale?
Raketat “Tomahawk” të lëshuara nga një destrojer i marinës amerikane në Detin Mesdhe ishin një mesazh i qartë për qeverinë siriane se duhet të ndalojë përdorimin e armëve kimike.
Situata është e ngjashme me vitin 2013, kur Presidenti sirian përdori armë kimike ndaj rebelëve në Damask, duke shkelur kështu “vijën e kuqe” të përcaktuar nga ish-Presidenti Obama, i cili nuk ndërmori sulme ndëshkuese. Por, përse presidentët amerikanë e konsiderojnë përdorimin e armëve kimike si kapërcim të “vijës së kuqe”?
“Po për bombat me klorinë? Megjithëse nuk janë teknikisht armë kimike, ato kanë marrë shumë jetë njerëzish në Siri gjatë katër viteve të fundit”, thotë ish-Ndihmës Sekretari i Shtetit, Phillip Crowley.
Ish-zyrtari i Departamentit të Shtetit nën administratën Obama thotë se shumica e viktimave në Siri janë shkaktuar nga armë konvencionale.
Imazhet e atyre viktimave, si i një fëmije që i shpëtoi bombardimit në Alepo verën e kaluar, nuk kanë provokuar të njëjtën kundërpërgjigje.
“Një nga mesazhet për regjimin e Assadit, për Rusinë dhe Iranin, është se mund të përdorin armë konvencionale për të luftuar opozitën siriane, por jo armët kimike”, thotë zoti Crowley.
Dje, ambasadorja amerikane në OKB, Nikki Haley, i mbrojti sulmet amerikane si “plotësisht të justifikuara”.
“Ishte koha për të thënë ‘mjaft’ dhe për të vepruar. Bashar al-Assadi nuk duhet të përdorë më kurrë armë kimike”, deklaroi zonja Haley.
Pikëpyetja vazhdon të qëndrojë nëse do të ndërmarrë Presidenti Trump hapa të mëtejshëm ushtarakë kundër Sirisë.