Ndërtimi i një stadiumi sportiv modern mund të ketë ndikim të madh tek mjedisi. Përveç nevojës për një hapësirë të madhe, struktura kërkon sasi masive betoni dhe çeliku që mund të lënë një gjurmë gjigande të gazit karbonik në atmosferë. Një klub futbolli në Angli është duke ndërtuar stadiumin e tij të ri në mënyrë tradicionale, por për lëndë të parë përdor drurin, një material më rezistent dhe më miqësor ndaj mjedisit.
Forest Green Rovers është një ekip futbolli në Angli, i themeluar më shumë se një shekull më parë.
Presidenti i këtij klubi, Dale Vince është i vendosur të ruajë trashëgiminë e emrit të ekipit.
“Tani jemi në një pozitë që nuk arrihet lehtë: kemi dyfishuar numrin e tifozëve në vitet e fundit. Synojmë të kalojmë nga kategoria e pestë e futbollit anglez, ku jemi tani, në kategorinë e dytë të tij”, thotë ai.
Për ta realizuar këtë synim, ata kanë nevojë për një stadium të ri, dhe Vince, i cili është njëkohësisht pronar i një kompanie të energjisë së gjelbër, të quajtur “Ecotricity”, ka bërë planimetrinë për një stadium të ri që ai thotë se do të ndërtohet me materiale të qëndrueshme.
“Mendoj se e veçanta e këtij stadiumi do të jetë përdorimi i drurit. Do të ketë përdorim minimal të betonit. Nëse i hedhim një vështrim sasisë së gazit serrë të çliruar nga ndërtimi i stadiumeve sportive, 75 për qind e tij shkaktohet nga materialet e ndërtimit, pra kostoja e ndërtimit nuk është një faktor në këtë aspekt. Druri është natyrisht një material më i qëndrueshëm, me nivel më të ulët të gazit karbonik. Pra, kjo është pikënisja jonë e vërtetë, aq sa mundemi ne do të përdorim materiale me nivel më të ulët gaz karbonik”, thotë zoti Vince.
Stadiumi do të ketë një çati të tejdukshme për të pakësuar hijet, të hapur për erën, dhe me drita të teknologjisë LED.
“Ne po punojmë për të ardhmen e kompanisë ‘Ecotricity’ dhe ekipit ‘Forest Green’, dhe do të ndërtojmë diçka vërtetë të avancuar për nga planimetria dhe infrastruktura”, thotë zoti Vince.
Ndërtimi i stadiumit të ri do të fillojë në vitin 2018, si pjesë e një parku sportiv dhe teknologjik. Kostoja e ndërtimit do të jetë 100 milionë paunde./VOA