Një vullkan ka shpërthyer në jugperëndim të kryeqytetit të Islandës, Reykjavik, ka njoftuar zyra meteorologjike e shtetit.
Sipas kësaj zyre, plasaritja si pasojë e vullkanit ka shkuar deri në 700 metra largësi ndërkohë që shpërthimi i fundit vullkanik në këtë pjesë të Islandës kishte ndodhur 800 vjet më parë, shkruan BBC, transmeton Insajderi.
Islanda ka shënuar mbi 40 mijë tërmete në tri javët e fundit.
Në vitin 2010 shpërthimi i një vullkani tjetër kishte shkaktuar ndalimin e trafikut ajror nëpër Evropë.
Sidoqoftë, shpërthimi i këtij vullkani nuk pritet të shkaktojë pasoja të ngjashme.
Zyra Meteorologjike Islandeze njoftoi se shpërthimi i vullkanit filloi mbrëmjen e së premtes, rreth orës 20:45, ndërsa më vonë u konfirmua përmes kamerave të internetit dhe imazheve satelitore.
Helikopteri i rojës bregdetare është dërguar rreth 30 kilometra afër Reykajvikut për të analizuar zonën.
“Unë mund të shoh qiellin e kuq të ndezur nga dritarja ime”, tha Rannveig Gudmundsdottir, i cili jeton në Grindavik, 8 km (5 milje) nga shpërthimi./Insajderi.com