Mbështetja e kauzës për daljen e Britanisë së Madhe nga Bashkimi Evropian është e pandalshme dhe vazhdimisht po rritet.
Një anketë online e Express.co.uk ka nxjerrë rezultatet e votuesve me pyetjen se a duhet që Britania e Madhe të largohet nga Bashkimi Evropian. Më shumë se 100 mijë njerëz kanë votuar për largimin e Britanisë nga BE-ja, gjë e cila do të mundësonte që të përfundojnë vitet e kontrollit qendror të Brukselit dhe do t’i jepte hapësirë Britanisë që të kontrollojë punët e saja, raporton Insajderi
Nga 111 mijë e 27 persona qe votuan, 102 mijë e 144 persona apo 92 për qind janë përgjigjur se duan që Britania ta përfundojë anëtarësinë e saj në bllokun e 28 shteteve anëtare të BE-së.
Vetëm shtatë për qind kanë thënë se duan që Britania të vazhdojë të jetë pjesë e Bashkimit Evropian dhe një për qind kanë qenë të pavendosur.
Ndërkaq, një tjetër anketë e realizuar nga kompania anketuese ICM gjatë ditës së djeshme në të cilën rezultatet ishin 42 për qind të cilët mbështesnin largimin e Britanisë nga BE-ja derisa 41 për qind u përgjigjën se duan që të mbesin brenda organizatës Evropiane.
Në anën tjetër, Kryeministri David Cameron do të jetë nën presion një javor, pasi i ka mbetur vetëm një javë që të bëhet i ditur fati i tij nëse do të arrijë të marrë votat e nevojshme për reformat e tij.
Pakënaqësia e britanikëve ka ardhur me rritjen e numrit të refugjatëve që hyjnë në Bashkimin Evropian dhe në Britaninë e Madhe dhe me rritjen e presionit nga Brukseli për pranimin e refugjatëve.
Kohëve të fundit britanikët janë shprehur me një zë të lartë se dëshirojnë largimin nga BE-ja në mënyrë që të rimarrin kontrollin e plotë të drejtimit të shtetit dhe të kontrollimit të kufijve./Insajderi.com