Grupi hetues britanik “Bellingcat” ka kumtuar se e ka identifikuar njërin nga dy të dyshuar për helmimin e ish spiunit të dyfishtë rus në Britani të Madhe, si kolonel i dekoruar i shërbimit ushtarak të inteligjencës ruse GRU.

Ky grup pretendon se i dyshuari, i cili ka hyrë në Britani të Madhe si Ruslan Boshirov, në të vërtet është koloneli Anatolij Chepiga, i cili në vitin 2014 ka marrë dekoratën më të madhe ruse, Hero i Rusisë, transmeton Insajderi.com.
Britania e Madhe ka akuzuar Borishovin dhe Alexander Petrovin se më 4 mars në Solsberi kanë tentuar ta vrasin ish agjentin Sergei Srkipal dhe vajzën e tij me helmin nervor sovjetik noviçok. Londra ka pretenduar se sulmi është miratuar nga kreu i shtetit rus, gjë që Moska e ka kundërshtuar ashpër.
Rusia nuk i ka komentuar pretendimet e Bellingcat-it.
Këta dy rus janë paraqitur në televizionin rus RT ku kanë thënë se kanë qenë në Solsberi vetëm si turistë dhe nuk kanë kurrfarë lidhje me helmimin e Skripalit. Gjithashtu kanë mohuar pretendimet britanike se janë agjentë ushtarakë dhe kanë pretenduar se merren me artikuj ushqimorë.
Bellingcat ka kumtuar se i kanë shikuar fotografitë e të diplomuarve të akademive ushtarake në Rusi dhe në një fotografi grupore kanë gjetur njeriun i cili ngjante shumë me Borishovin. Pastaj me ndihmën e bazës së të dhënave ruse, të cilat ishin kompromentuar, i kanë ngushtuar hetimet në një oficer, Chepiga. Grupi ka arritur të vijë deri te të dhënat nga pasaporta e Chepigas nga viti 2003, në të cilën gjendet fotografia e cila është shumë e ngjashme me Borishovin.
Pretendohet se Chepiga ka kryer disa detyra në Çeçeni, dhe se në dhjetor 2014 ka marrë dekoratën Hero i Rusisë, me siguri për shkak të angazhimit të tij në Ukrainën lindore./Insajderi.com.