Nobelistja i flet Trumpit për vëllezërit e saj të vdekur, e ai e pyet: “Ku janë ata tani?”

Presidenti amerikan Donald Trump ka shkaktuar reagime të shumta nëpër rrjete sociale me pyetjet e tij gjatë bisedës me fituesen e Çmimit Nobel, aktivisten jazide nga Iraku. Nadia Murad i ka treguar se ia kanë vrarë nënën dhe gjashtë vëllezër, ndërsa Trumpi më pas e ka pyetur: “E ku janë ata tani?”

Nobelistja i flet Trumpit për vëllezërit e saj të vdekur, e ai e pyet: “Ku janë ata tani?”

Nadia Murad është aktiviste jazide e cila e ka mbijetuar robërinë seksuale të ISIS-it. Militantët e kanë torturuar dhe përdhunuar, dhe pas arratisjes nga robëria u shndërrua në person të fushatës për lirimin e Jazidëve, transmeton Index.hr.

Murad në bisedë me presidentin Trump ka thënë se përkundër asaj që ISIS ka shkuar nga Iraku, qeveritë kurde dhe irakiane ende luftojnë rreth kontrollit mbi rajonin ku kanë jetuar Jazidët, ndërsa i ka bërë thirrje presidentit amerikan që të intervenojë. “Ju mund të zgjidhni problemin tonë qysh sot. Tani nuk ka ISIS, mirëpo ne nuk mund të kthehemi, sepse qeveritë kurde dhe irakiane po luftojnë në mes veti rreth asaj se kush do ta kontrollojë rajonin tonë. Dhe ne nuk mund të kthehemi nëse nuk mund të mbrojmë dinjitetin tonë, familjet tona”, ka thënë Murad.

“Por ISIS-i ka shkuar”, ka thënë Trump.

Murad i ka thënë se ISIS e ka vrarë nënën e saj dhe gjashtë vëllezër. Pastaj Trump e ka pyetur: “E ku janë ata tani?” Murad është përgjigjur: “I kanë vrarë. Gjenden nëpër varreza masive në Sinjar”.

Mirëpo kjo nuk është e tëra. Trump e ka pyetur Muradin për çka ka fituar Çmimin e Nobelit. “Për atë se pas gjithë asaj çfarë ka ndodhur, unë nuk kam hequr dorë. Jam kujdesur që të gjithë ta dinë se ISIS  ka përdhunuar mijëra gra jazide. Kjo ishte hera e parë që një grua nga Iraku doli haptas dhe foli për atë çfarë ka ndodhur”. Më pas Trump e pyeti: “Vërtetë? Kjo është hera e parë?”

“Po, është hera e parë?”, përgjigjet ajo.

“Domethënë ti je arratisur?”, ka thënë Trump. Ajo është përgjigjur: “Po, mirëpo ende nuk e kam lirinë time, sepse asnjë pjesëtar i ISIS-it nuk ka dal para gjykatës”./Insajderi.com.