Nobelistja suedeze e kthen çmimin në shenjë proteste për shkak të Handkes

Mjekja dhe gazetarja suedeze Christina Doctare e cila ka fituar Çmimin Nobel për Paqe në vitin 1988, si anëtare e forcave paqësore të Kombeve të Bashkuara e ka kthyer këtë shpërblim prestigjioz në shenjë proteste kundër dhënies së Çmimit Nobel për Letërsi shkrimtarit austriak Peter Handke.

Nobelistja suedeze e kthen çmimin në shenjë proteste për shkak të Handkes

Ajo mbrëmë ka folur para qindra të tubuarve në kryeqytetin suedez në shenjë proteste kundër vendimit të Akademisë suedeze t’i jep këtë shpërblim austriakut i cili gjatë luftërave në territor të ish Jugosllavisë e ka përkrahur regjimin e Sllobodan Millosheviqit dhe haptas mohon se në Srebrenicë ka ndodhur gjenocid, transmeton Al Jazeera Balkans.

“E kanë uruar dhe ia kanë dhënë shpërblimin. Tani unë timin e kthej, tani unë timin e kthej”, ka thënë ajo para të tubuarve me medalje në dorë.

Të tubuarit e kanë përkrahur me duartrokitje dhe duke e thirrur emrin e saj. Ajo ka përkujtuar luftërat e Ballkanit dhe ka treguar për krimet dhe tmerret të cilat i kanë shkaktuar serbët nëpër vendet e ish Jugosllavisë.

“Derisa jetoj, do të dëshmoj cila është e vërteta e luftës së tmerrshme të cilën kurrë nuk do ta mohoj”, ka shuar ajo.

“Kush prej Akademisë dëshiron të shkojë në ferr? Këto nuk janë gjëra të panjohura. Kam qenë krenare për Akademinë, Çmimi Nobel ka qenë çdo vjet një gjë e madhe për Suedinë. Tani ndiej turp dhe faj”, ka thënë ajo.

Në Shtëpinë e Koncerteve në Stokholm janë ndarë Çmimet e Nobelit për vitin 2019, duke përfshirë edhe çmimin për letërsi për Peter Handken. Ndarja e çmimit për shkrimtarin austriak ka shkaktuar shumë kundërshtime të publikut për shkak të përkrahjes së tij për regjimin e Sllobodan Millosheviqit gjatë luftërave në ish Jugosllavi dhe për këtë shkak ditën e ndarjes së çmimeve janë zhvilluar shumë protesta.

Ceremoninë e kanë bojkotuar zyrtarët nga Kosova, Kroacia, Bosnja dhe Hercegovina, Maqedonia e Veriut, Shqipëria dhe Turqia./Insajderi.com.