Një ekip ekspertësh ndërkombëtarë nga Organizata Botërore e Shëndetësisë (OBSH) dhe Kina thanë se nuk ka prova të mjaftueshme që Coronavirusi i ri (COVID-19) ishte përhapur në Wuhan para dhjetorit 2019, transmeton Insajderi.
Duke folur në konferencën virtuale për shtyp në qytetin Wuhan të Kinës, udhëheqësi i ekipit kinez Dr. Liang Wannian tha se,”Zbulimi i sekuencës virale të koronavirusit sugjeron që virusi ka origjinën nga transmetimi zoonotik, por pritësi ende nuk është identifikuar”, raporton Anadolu Agency (AA).
“Nuk ka prova të mjaftueshme se SARS-COV-2 (COVID-19) ishte përhapur në Wuhan para dhjetorit të vitit 2019. Nuk ka asnjë indikacion”, tha ai.
Ekipi 17 anëtarësh i OBSH-së të martën përfundoi fazën e parë të hetimit për origjinën e COVID-19. Një ekip paralel 17 anëtarësh nga Kina u bashkua me OBSH-në për të udhëhequr hetimet.
Dr. Peter Ben Embarek, nga ekipi i OBSH-së, në konferencën për shtyp tha se ata kishin vendosur dy qëllime kur filloi studimi.
“Të përpiqemi të kuptojmë atë që ndodhi në fillim të COVID-19 në Wuhan. Dhe të kuptojmë se si ndodhi … si doli virusi dhe u fut brenda popullatës njerëzore”, tha Embarek.
Ai shtoi se provat tregojnë gjithashtu për një rezervuar natyror të virusit, pra popullata e lakuriqëve.
“Por meqenëse Wuhani nuk është i vendosur afër vendbanimit të lakuriqëve të natës, kështu që një kërcim i drejtpërdrejtë i këtij virusi në Wuhan nuk ka shumë gjasa. Se si virusi hyri në treg është ende mbetet për të mësuar”, tha ai.
Sipas tij, studiuesit shqyrtuan rrugët e mundshme për bartjen e virusit tek njerëzit, si kafshët e egra, në një mjedis tjetër ku njerëzit dhe kafshët mund të bashkëveprojnë.
Anëtari i ekipit të OBSH-së tha se ekipet përdorën katër hipoteza kryesore për të kryer analizën e tyre; transmetimin e drejtpërdrejtë të virusit nga kafsha në njeri, te njeriu përmes një ndërmjetësi të mesëm, zinxhiri ushqimor, në veçanti, produktet e mundshme ushqimore të ngrira që shërbejnë si bazë për përhapjen e virusit tek njerëzit dhe mundësia e një incidenti laboratorik gjë që është jashtëzakonisht e pamundur.
Dr. Liang tha se ekspertët ndërkombëtarë të OBSH-së vinin nga 10 vende të ndryshme, të cilët filluan punën më 14 janar dhe kryen vizita dhe hulumtime në vend, përveç prezantimeve dhe intervistave të hollësishme.
“Diversiteti i sekuencave të koronavirusit u shfaq në shpërthimin e hershëm të Wuhan-it, duke sugjeruar se ka zinxhirë transmetues përtej tregut të prodhimeve të detit Huanan”, tha Liang. /Insajderi.com