OAK dorëzon kërkesat ndaj deputetëve për rimëkëmbjen e sektorit privat

OAK dorëzon kërkesat ndaj deputetëve për rimëkëmbjen e sektorit privat

Derisa po mbahet seanca plenare në Kuvendin e Kosovës, Oda e Afarizmit të Kosovës (OAK), ka organizuar aksionin para Kuvendit, ku kanë dorëzuar këkesat e sektorit privat për deputetët.

Koordinatorja në OAK, Qëndresa Ibrahimi, thotë se si pasojë e dëmeve të shkaktuara nga pandemia COVID-19, subvencionimi i bizneseve nga Qeveria nuk ka qenë në nivelin e duhur, andaj OAK i ka dorëzuar deputetëve propozimet e tyre, që do ta ndihmonin rimëkëmbjen ekonomike.

“Ne e dimë se si pasojë e pandemisë bizneset kanë pësuar dëme të mëdha dhe subvencionimi i shtetit, si pasojë e vështirësive që kanë hasur bizneset, deri më tani nuk ka qenë në nivelin e duhur. Ne i kemi dërguar propozimet tona për projektligjin e rimëkëmbjes ekonomike, të cilat nuk janë inkorporuar në draftin final. Andaj jemi duke kërkuar që kërkesat e bizneseve të sektorit privat të përfshihen në pakon e rimëkëmbjes, me qëllim që të ndihmohen që ta ruajnë stabilitetin e tyre, të mos thellohet edhe më tepër kriza, dhe të ruhen vendet e punës”, thotë ajo.

Ndërsa zyrtarja e Odës së Afarizmit të Kosovës, Mirjeta Shala, thotë se në këto kërkesa përfshihen subvencionimi i pagave për periudhën maj, qershor, korrik, gusht, shtator, subvencionimi i qirasë së paku deri me 30 Shtator 2020, si dhe ofrimi i kredive në periudha dy vjeçare, dhe me afat pagese deri në 10 vjet, me garancinë e shtetit 80-100% të shumës.

Shala thotë se kanë kërkuar nga Qeveria që të bëhet analizë, dhe në bazë të saj të krijohet pakoja e rimëkëmbjes. /Insajderi.com/