OAK kërkon ndryshimin e Ligjit të Festave: Po dëmtohet zhvillimi ekonomik

OAK kërkon ndryshimin e Ligjit të Festave: Po dëmtohet zhvillimi ekonomik

Oda e Afarizmit të Kosovës i kërkon Qeverisë së vendit dhe kryeministrit Albin Kurti, që me urgjencë të propozojë ndryshim-plotësimin e Ligjit për Festat Zyrtare, njofton Insajderi.

Përmes një komunikate për medie, nga OAK-ja thonë se kjo praktikë e pushimeve po e dëmton vendin në aspektin financiar dhe po në atë të reputacionit ndërkombëtar.

“Praktika e deritanishme që ditët e festave që bien në ditë vikendi, të zëvendësohen me pushim gjatë ditëve të punës, përkatësisht Neni 4 i Ligjit për Festat Zyrtare, sipas të cilit ‘Kur ditët e festave zyrtare të cekura në nenin 2 të këtij ligji bien ditën e shtunë ose të diel, ditë pushimi do të jenë ditët pasardhëse të punës’, është praktikë e cila ka dëmtuar dhe po e dëmton vendin jo vetëm në aspektin financiar por edhe në aspektin e reputacionit ndërkombëtar, sepse asnjë vend tjetër nuk e zëvendëson pushimin në një datë tjetër”, thuhet në komunikatë.

Sipas tyre, ditët e pushimit që bien në fundjavë të zëvendësohen me ditët e punës gjatë javës po e dëmtojnë ekonominë dhe buxhetin e shtetit.

“OAK kërkon që ditë pushimi të jetë vetëm dita e cila bie festa dhe të mos zëvendësohen me ditët vijuese. OAK gjithashtu kërkon që të festohen por të mos jenë ditë pushimi, ditët: 9 Prilli, Dita e Kushtetutës dhe 9 Maj Dita e Evropës. Po ashtu, referuar kësaj çështje, është e rëndësishme dhe OAK kërkon që festat për nder të komuniteteve të jenë ditë pushimi për këto kategori, por jo edhe për gjithë vendin”, përfundon komunikata./Insajderi.com