Duke mbrojtur ligjin e tij të njohur për shëndetësi me emrin Obamacare, Barack Obama kritikoi ashpër planin e ri për shëndetësi që u publikua të enjten nga republikanët në Senat dhe u bëri thirrje njerëzve të kontaktojnë ligjbërësit e tyre për të protestuar.
“Projektligji i Senatit, i publikuar sot, nuk është një projektligj për shëndetësi, është një transferim masiv e pasurisë nga klasa e mesme dhe familjet e varfra tek njerëzit më të pasur të Amerikës”, ka shkruar ai në një postim në Facebook.
Ish-presidenti amerikan bëri disa nga komentet më të forta qëkur la detyrën për të mbrojtur atë që cilësohet si arritja e tij më e madhe në dy mandate.
“Projektligji i Senatit nuk është një ligj për shëndetësinë. Fare thjesht, nëse ka një mundësi që të sëmuresh, plakesh apo krijosh një familje, ky ligj të dëmton”, shkruan Obama,
Ai theksoi se propozimi parashikon ulje taksash për fituesit e mëdhenj si kompanitë e ilaçeve dhe sigurimeve, ndërsa heq sigurimin për sëmundje të mëparshme, shtatzëninë dhe shëndetin mendor.
Obama theksoi se ndryshimet estetike nuk e eliminojnë dot keqdashjen e ligjit, ndërsa i kërkoi republikanët që të mos nxiten nga përmbushja e një premtimi të fushatës, por të mendojnë për miliona amerikanë që do të humbasin sigurimet shëndetësore, shkruan TCh.
Sipas medieve vendase, zyra e buxhetit të senatit pritet të shqyrtojë javën e ardhshme këtë ligj, i cili është miratuar në Dhomën e Ulët dhe do të lërë 23 milion amerikanë pa sigurime shëndetësore gjatë 10 viteve të ardhshme.