Obama i përgjigjet lëvdatave të Trumpit për Putinin

Presidenti amerikan, Barack Obama, i është përgjigjur me kundërsulm kandidatit republikan për president, Donald Trump, pasi ky ka vlerësuar se presidenti i Rusisë, Vladimir Putin, është lider më i mirë se Obama.

Obama i përgjigjet lëvdatave të Trumpit për Putinin

Në një tubim të demokratëve mbrëmë në Filadelfia, Obama ka theksuar se Trumpi “javën e kaluar, shkoi në televizionin shtetëror të Rusisë për të biseduar për ushtrinë amerikane dhe për të paraqitur favore për Vladimir Putinin”, shkruan rel.

“Mendoni për atë që po ndodhë në Partinë Republikane. Ata zakonisht e kundërshtojnë Rusinë dhe autoritarizmin dhe e patën mbështetur lirinë dhe luftën për demokraci”, tha Obama, dhe ka shtuar se tash, i nominuari republikan “shkon atje dhe e lavdëron personin, duke thënë se ai është lider i fuqishëm, pasi i invadon vendet e vogla, i burgos rivalët e tij, e kontrollon shtypin dhe e drejton ekonominë e tij në recesion të gjatë”.

Presidenti Obama tha se ai “duhet të punoj me Putinin dhe me Rusinë, por kjo është pjesë e politikës së jashtme”, dhe ka shtuar se “unë nuk them se ai është modeli im”.