OBSH: Izolimi është opsioni i fundit

OBSH: Izolimi është opsioni i fundit

Organizata Botërore e Shëndetësisë(OBSH) gjatë ditës së enjte tha se izolimet kombëtare duhet të trajtohen si një “opsion i fundit” për të gjitha shtetet e Evropës, në luftimin e pandemisë Covid 19, njofton Insajderi.

“Izolimi i shoqërisë do të parandalonte transmetimin e coronavirusit dhe do t’i jepte sistemit shëndetësor hapësirën e nevojshme, por ai gjithashtu ka një kosto të madhe”, tha drejtori rajonal i OBSH-së për Evropën, Hans Kluge.

Gjithnjë e më shumë vende evropiane po miratojnë masa drastike për të frenuar përhapjen e coronavirusit. Kluge tha se një përgjigje e fortë ndaj pandemisë, nuk do të thoshte izolime të rrepta, siç ndodhën në pranverë.

Pasojat e izolimeve përfshijnë shëndetin e dobët mendor, rritjen e dhunës në familje dhe dëmtimin e ekonomisë, paralajmëroi ai.

“Duke pasur parasysh këto realitete, ne i konsiderojmë bllokimet kombëtare një mundësi të fundit”, tha zyrtari i OBSH-së.

Nga shtetet e Evropës, Franca momentalisht është duke u përballur me situatën më të rëndë, e pasuar nga Italia.

OBSH-ja në Evropë përfshin 53 vende, përfshirë Rusinë dhe vendet në Azinë Qendrore. Organizata tha se rajoni kishte kaluar “momentin historik prej 10 milionë rastesh me coronavirus” të enjten./Insajderi.com.