OBSH mban punëtori për ndotje në Kosovë: Ndotja është ndër shqetësimet më të mëdha në vend

OBSH mban punëtori për ndotje në Kosovë: Ndotja është ndër shqetësimet më të mëdha në vend

Kualiteti i jetës në Kosovë është përkeqësuar për shkak të degradimit mjedisor, ndotësve industrial, sistemit të dobët të menaxhimit të mbeturinave, përdorimit të gjerë të tokave pjellore për ndërtim, mospërfilljen dhe shpërdorimin e burimeve natyrore, përkundër, problemet mjedisore nuk janë prioritet në vend, u tha në punëtorinë e Organizatës Botërore të Shëndetësisë në Kosovë, në lidhje me ngritjen e kapaciteteve në kuadër të projektit ‘Healthier Kosovo’.

Punëtoria solli ekspertë të mjedisit dhe shëndetit publik me informacion të përditësuar mbi ndotjen e ajrit, shëndetin dhe aktivitetet e tanishme të OBSH-së.

Shkumbin Shala nga Instituti Hidrometeorologjik thekson se Obiliqi prinë në listën e qyteteve të ndotura në Kosovë deri sa termocentralet, amvisëria dhe transporti vlerësohen të jenë shkaktarët kryesorë të ndotjes.

Shala sqaron se vendi kishte përjetuar një ulje të vogël të ndotjes pas vendosjes së filtrave të ndotjes në termocentralet në Obiliq në vitin 2013, sidoqoftë, situata ende mbetet mjaft e rënduar.

Ndryshe, Kosova prodhimin e energjisë elektrike e ka të bazuar në termocentrale të vjetra, njëri nga të cilët duhet dekomisionuar. Termocentralet e vjetra ekzistuese theksohen si ndotës kritik edhe në nivel Evropian, ani pse sipas përfaqësueses së Ministrisë së Mjedisit në punëtori – Nezakete Hakaj dhe sipas studimeve të Ministrisë, amvisëria del të jetë ndotësi më i madh në Kosovë, u tha në ditë e parë të punëtorisë.

Sipas strategjisë, Kosova A, që ka të tejkaluara të gjitha afatet e lejuara të operimit, do të mbyllet pas hyrjes në funksion të termocentralit të ri, Kosova e Re, me c’rast edhe ndotja do të zvogëlohet deri në minimum, duke qenë se termocentrali i ri do të ndërtohet në pajtim me standardet më strikte të Bashkimit Evropian.

Njëkohësisht, termocentrali Kosova B, ndër kontribuesit më të mëdhenj të grimcave të pluhurit Pm10 dhe 2.5 në ajër, gjatë dy viteve në vijim pritet të ketë të instaluar teknologji të re për filtrimin e ajrit për të mundësuar jetesë të shëndetshme në komunitet.

Antigona Dervishaj nga Qendra për Testime Laboratorike nga Instituti i Shëndetit Publik thekson se sezona e dimrit sjellë rritje të madhe të numrit të pranimeve spitalore për probleme shëndetësore të shkaktuara nga ndotja.

‘Vitin e kaluar QKMF në Obiliq realizon kontrolla mjekësore në shkolla ku 922 nxënës të klasave të para, katërt dhe tetë kanë pasur problem me frymëmarrje. Gjatë 2018, në sezonën e dimrit, 12 mijë fëmijë kërkuan ndihmë mjekësore në QKMF si pasojë e ajrit të ndotur’, theksoj Dervishaj teksa po prezantonte gjatë punëtorisë.

Prej të dhënave të grumbulluara nga sektori publik për periudhë pesë mujore te fëmijët nën moshën pesë vjeçare, në Obiliq dominojnë sëmundjet si pneumonia, bronhiti dhe infeksionet e traktit të sipër respirator, shton tutje Dervishaj.

Punëtoria e Organizatës Botërore të Shëndetësisë për Ngritje të Kapaciteteve në kuadër të projektit ‘Healthier Kosovo’ do të përfundojë të nesërmën, me c’rast do të prezantohet edhe aplikacioni AirQ+, një softuer për vlerësimin e rrezikut të shëndetit nga ndotja e ajrit.