Organizata Botërore e Shëndetësisë (OBSH) njoftoi të martën se ka miratuar një vaksinë tjetër kundër COVID-19 të prodhuar nga kompania kineze, Sinovac Biotech, për përdorim emergjent, transmeton Insajderi.
Siç shkruan Reuters, miratimi i kësaj vaksine nga OBSH-JA është një sinjal për organet rregullatore kombëtare që përgatitja është e sigurt dhe efektive si dhe mundëson që vaksinat e aprovuara nga OBSH-ja të gjenden në programin global, “Covax”, e cila siguron vaksina për vendet e varfra duke përfshirë Kosovën.
Grupi këshillimor teknik i OBSH-së, i cili filloi të mblidhej më 5 maj, mori vendimin pasi shqyrtoi të dhënat më të fundit klinike mbi sigurinë dhe efikasitetin e vaksinës Sinovac, si dhe praktikat e prodhimit të kompanisë.
Drejtori i Përgjithshëm i OBSH-së, Tedros Adhanom Ghebreyesus e mirëpriti vendimin, duke e quajtur vaksinën të sigurt dhe efektive.
“Tani është thelbësore që këto mjete shpëtimi t’i marrin njerëzit që kanë nevojë për ta shpejt,” tha ai në një konferencë./Insajderi.com