Rreth 2 milionë foshnja lindin të vdekura çdo vit në të gjithë botën, shumica e të cilëve në vendet në zhvillim, transmeton Insajderi.
Organizata Botërore e Shëndetësisë (OBSH), Fondi i Emergjencës i Kombeve të Bashkuara për Fëmijët (UNICEF) dhe partnerët publikuan një raport që llogarit në mbarë botën numrin e lindjeve të vdekura.
Në raport është vënë në dukje se në botë çdo vit dy milionë fëmijë lindin të vdekur dhe se pandemia e COVID-19 mund të shkaktojë rritjen e këtij numri, raporton Anadolu Agency (AA).
Gjithashtu ndërprerja prej 50 për qind që parashikohet në shërbimet e shëndetësisë për shkak të pandemisë së COVID-19, mund të shkaktojë edhe 200.000 vdekje tjera në 117 shtete në zhvillim.
OBSH-ja në raport tërhoqi vëmendjen se nëse gratë kërkojnë ndihmën e një profesionisti të trajnuar të kujdesit shëndetësor, do të mund të parandalohen mbi 40 për qind të lindjeve të vdekura.
Drejtorja ekzekutive e UNICEF-it, Henrietta Fore tha se “në çdo 16 sekonda një nënë kudo në botë do të përjetojë dhimbjen e papërshkrueshme të lindjes së vdekur”. /Insajderi.com