Oda Amerikane e Kosovës kërkon nga Qeveria ta hartojë strategjinë e zhvillimit ekonomik

Oda Amerikane e Kosovës kërkon nga Qeveria ta hartojë strategjinë e zhvillimit ekonomik

Oda Ekonomike Amerikane në Kosovë, ka kërkuar nga Qeveria e Kosovës që të hartojë një dokument strategjik për orientimin e politikave në zhvillimin ekonomik.

Ky dokument sipas Odës Amerikane duhet të bazohet në një analizë të potencialëve dhe prioriteteve ekonomike.

“Dokumenti strategjik do të shërbente në shmangien e vendimeve ad-hoc ose qasjes reaktive, e cila ka karakterizuar vendimmarrjen institucionale në të kaluarën. Në këtë mënyrë, Qeveria, Kuvendi, si dhe hisedarët e tjerë jopolitikë dhe joqeveritarë do të mund të vendosnin kontroll mbi zhvillimin ekonomik të Kosovës, duke përcaktuar objektiva specifike, të matshme, të arritshme, reale, si dhe të lidhura me afatet kohore”, thuhet ndër tjerash në kumtesë.

Oda Amerikane shprehet se beson në prioritetet si fuqizimi i sundimit të ligjit, adresimi i çështjeve që lidhen me kapitalin njerëzor, fuqizimi i lidhjeve me Diasporën, nxitja e investimeve të brendshme dhe tërheqja e investimeve të jashtme, si dhe adresimi i infrastrukturës fizike me fokus në atë energjetike, duhet të përfshihen me doemos në Strategji, ndërsa hartimi i saj duhet të zhvillohet në konsultim të ngushtë me përfaqësuesit e komunitetit të biznesit, ekspertët dhe institutet e ekonomisë, institucionet akademike, organizatat ndërkombëtare zhvillimore dhe institucionet financiare ndërkombëtare, si dhe përfaqësuesit e sindikatave.

Po ashtu kjo odë sugjeroi që procesi i hartimit të strategjisë duhet të marrë në konsideratë, por të mos kufizohet vetëm në faktorët si të dhënat ekonomike dhe demografike. /Insajderi.com