Me lajme jo të mira ka nisur ky vit për Napolin. Sulmuesi nigerian Osimhen është rikthyer nga vendlindja e tij, por i infektuar me Covid-19. Talenti 22 vjeçar ka shpërthyer në festë për ditëlindjen e tij, ku gjendeshin dhjetra të ftuar dhe nuk respektoheshin masat mbrojtëse nga pandemia, njofton Inajderi.
Veprimi i nigerianit ka ndezur edhe tërbimin e Genaro Gattusos, i cili siç ka raportuar “La Gazzetta dello Sport” i ka përcjellë zemërimin e tij përmes telefonit. Një mërzitje tërësisht e justifikuar kjo e trajnerit italian, i cili kërkoi me ngulm ta kishte lojtarin nën urdhërat e tij, madje edhe duke shprehur gatishmërinë për të hequr dorë nga një pjesë e rrogës së tij.
De Laurentis ia plotësoi dëshirën dhe shpenzoi shumën më të lartë në historinë e klubit për ta veshur me fanellën e kaltër, por deri më tani nuk ka marrë mbrapsht investimin e bërë. Një dëmtim në shpatull e la jashtë për një kohë të gjatë dhe në momentin kur klubi shpresonte ta kishte sërish në dospozicion,
Osimhen vendos të thyejë rregullat e pandemisë dhe infektohet me Covid-19, duke qendruar për 14 në izolim. Durimi i Gattusos është sosur dhe 22 vjeçarin e pret një gjobë e majme nga klubi. /Insajderi.com