Pak ditë më parë Myrto Uzuni do të pushtonte faqen e parë të gazetës greke “Sport Time”. Shkak ishte fakti se gjiganti helen, Olympiacos ishte vënë pas sulmuesit të Kombëtares shqiptare, njofton Insajderi.
Futbollisti nga Berati po kalon sezonin më të mirë në karrierën e tij dhe nuk është aspak çudi që kërkesat për të në merkaton e ardhshme të jenë të larta. Këtë gjë duket se e di mirë edhe Ferencvaros, që i tregon klubit të njohur grek çmimin që duhet të derdhë në llogarinë e tyre bankare nëse dëshiron të zotërojë kartonin e Uzunit.
“Csakfoci.hu” raporton se kampionët e Hungarisë dëshirojnë të përfitojnë katër milionë euro nga shitja e 25-vjeçarit, të cilin e transferoi nga Lokomotiva e Zagrebit për 1,8 milionë euro. Megjithatë media në fjalë bën me dije se ende nuk ka mbërritur një ofertë zyrtare në tryezën e Ferencvarosit, por shifra e kërkuar për Uzunin duket se ka trembur disi Olympiacosin. /Insajderi.com