Në Komision për Buxhet dhe Financa është diskutuar për ndarjet buxhetore në vitin 2021.
Opozita ka pasur kritika për uljen e buxhetit për Ministrinë e Shëndetësisë e rritjen e ndarjes financiare për Ministrinë e Infrastrukturës.
“Përkundër çka ka ndodhë me pandemi në Kosovë dhe në Botë, ka shkurtimi të buxhetit në shëndetësi, arsim dhe ekonomi, ndërsa ka rritje të buxhetit për infrastrukturë. Pra, qeveria vazhdon rritjen e buxhetit për asfalt”, tha Kusari Lila nga opozita.
Edhe Bedri Hamza nga Partia Demokratike e Kosovës kishte kritika për këtë propozim projekt-buxhet.
“Kjo Qeveri kishte prezantuar programin qeverisë për mbështetje për shëndetësi, program zhvillimor, investime miliardëshe, shërbimin ushtarak. Megjithatë, këto asnjë nuk qëndrojnë deri tash. Është rritë borxhi publik. Ndërsa, buxheti i vitit për 2021 do të jetë sa ai i vitit 2019. Kështu që ne si PDK nuk do ta mbështesim këtë buxhet”, tha shefi grupit parlamentar.
Ndërsa, zëvendës-ministri i Financave, Agim Krasniqi, tha se për vitin e ardhshëm do të ketë kursime 1.5 përqind për kategoritë e shpenzimeve për mallra dhe shërbime.
“625 milionë euro janë paraparë për paga. Shpenzimet për subvencione janë ul për 5.2 përqind, ndërsa janë paraparë 613 milionë euro investimet kapitale. Deficiti buxhetor pritet të jetë 4.2 përqind. Ndërsa, rënia e të hyrave deri në fund të vitit 2020 do të jetë mbi 320 milionë euro”, tha ai.
Buxheti parashihet të ketë vlerë 1 miliardë e 412 milionë euro. /Insajderi.com