Opozita siriane çliron qytetin strategjik të kontrolluar nga ISIS

Opozita siriane çliron qytetin strategjik të kontrolluar nga ISIS

Opozita siriane ka njoftuar se ka marrë nën kontroll një qytet të rëndësishëm në aspektin strategjik, nga duart e militantëve të Shtetit Islamik.

Forcat Demokratike Siriane deklaruan se kishin çliruar tërësisht qytetin dhe një digë që ndodhet pranë tij, e që ndodhet 40 km në perëndim të bastionit të ISIS, Raka.

Luftimet në qytet ishin intensifikuar në javët e fundit, me terroristët që bënë një rezistencë të ashpër me atentatorë vetëvrasës dhe snajpera.

Ata zotëronin lagjet veriore dhe strukturën e digës, për të cilën OKB kishte paralajmëruar për rrezikun nga përmbytjet nëse dëmtohej.

Sidoqoftë, zëdhënësi i FDS, Talal Sello deklaroi se operacionet e njësive janë ende në vazhdim për t’u siguruar që qyteti është pastruar.

Njoftimi vjen një ditë pasi SHBA deklaruan se do të armatosnin grupin sirian Njësitë Popullore për Mbrojtjen e Kurdëve, e cila lufton ISIS, njofton tch.

Vendimi ka acaruar Turqinë, që e konsideron grupin në fjalë si një fraksion të Partisë së Punëtorëve të Kurdistanit, PKK, të cilën e cilëson organizatë terroriste. Kjo, pasi PKK ka luftuar për autonominë e kurdëve nga Turqia për tre dekada.