Pakistani ka njoftuar se po heq të gjitha kufizimet e vendosura kundër Coronavirusit të ri (COVID-19), duke lejuar të gjitha aktivitetet tregtare në mbarë vendin të funksionojnë normalisht dhe duke hapur vendet publike, pavarësisht se vendi akoma po raporton mbi 1 mijë raste të virusit për çdo ditë, transmeton Insajderi.
Sipas Komandës Kombëtare dhe Qendrës së Operacioneve, e cila monitoron strategjinë kundër virusit, kufizimet në orët e hapjes për qendrat tregtare, marketet dhe parqet e lojërave janë hequr me efekt të menjëhershëm, ndërsa nga 15 marsi do të lejohen ceremonitë e darkave dhe dasmave në ambiente të mbyllura, raporton Anadolu Agency (AA).
Kinematë dhe faltoret nga 15 marsi po ashtu do të rihapen me “masa të rrepta të sigurisë”.
Kushti që 50 për qind e punonjësve të punojnë nga shtëpia po ashtu është hequr.
“Mbajtja e maskave, distanca sociale dhe bllokimet e zgjuara do të vazhdojnë”, tha njoftimi.
Vendimet, thuhet në njoftim, mund të rishikohen sa herë që të gjykohet e nevojshme.
Zgjedhjet e organeve lokale të pritura prej kohësh mund të planifikohen nga Komisioni Zgjedhor për në fund të muajit maj ose në fillim të qershorit.
Pjesëmarrja e spektatorëve në ndeshjet e kriketit të Super Ligës së Pakistanit është dyfishuar nga 205 në 505, ndërsa në javën e dytë të muajit mars do të lejohet pjesëmarrja e plotë vetëm në ndeshjet “play-off” me “masa paraprake të rrepta të sigurisë”.
Pakistani me mbi 200 milionë banorë javëve të fundit ka regjistruar një rënie të ndjeshme të rasteve dhe vdekjeve nga koronavirusi. Megjithatë, ende po raporton mbi 1 mijë raste në ditë, si dhe dhjetëra vdekje.
Me 1.196 raste të reja të regjistruara së fundmi, numri i përgjithshëm i rasteve të konfirmuara me koronavirus në vend ka arritur në 574.580, përfshirë gjithsej 12.708 vdekje.
Islamabadi tashmë ka filluar një fushatë shumë të pritur të vaksinimit. Në fazën e parë po vaksinohen punonjësit shëndetësor të vijës së parë dhe të moshuarit mbi 65-vjeç.
Muajin e kaluar, qeveria njoftoi se po siguron 17 milionë doza të vaksinës Oxford-AstraZeneca përmes instrumentit COVAX të udhëhequr nga Kombet e Bashkuara (OKB).
Rregullatori i ilaçeve i Pakistanit deri më tani ka miratuar përdorimin emergjent të vaksinës Sinopharm dhe CanSino të Kinës, atë të Oxford-AstraZeneca dhe atë ruse Sputnik. /Insajderi.com