Banka Botërore ka miratuar një hua prej 300 milionë dollarësh për realizimin e dy projekteve në Pakistan, transmeton Insajderi.
Huaja do të përdoret për dy projektet që synojnë ndërtimin e “rezistencës ndaj katastrofave natyrore dhe emergjencave shëndetësore” në provincën jugore Sindh.
Këto investime, sipas bankës, do të ndihmojnë Pakistanin të përballojë përmbytjet dhe thatësirat në Sindh, të forcojë menaxhimin e mbetjeve të ngurta në Karaçi, kryeqyteti tregtar i vendit dhe të trajtojë përmbytjet e përsëritura urbane dhe emergjencat e shëndetit publik në qytet.
“Ndërtimi i rezistencës ndaj katastrofave natyrore dhe emergjencave shëndetësore është një axhendë e rëndësishme dhe urgjente në Pakistan, e cila do të ndihmojë në shpëtimin e jetës dhe mbrojtjen e ekonomisë”, tha Najy Benhassine, drejtor i Bankës Botërore për Pakistanin, raporton Anadolu Agency (AA).
“Ndikimi i përmbytjeve të fundit në Karaçi, thatësira, reshjet ekstreme në Sindh dhe pandemia COVID-19 e bëjnë të domosdoshme që investimet për zvogëlimin e rrezikut të forcojnë dialogun dhe koordinimin multi-sektorial në nivelin e qytetit, provincës dhe vendit për të siguruar mbrojtje për komunitetet e prekshme dhe luftuar përhapjen e sëmundjeve”, tha ai në një deklaratë.
Në qershor, Pakistani mori 500 milionë dollarë nga Banka Botërore dhe Banka Aziatike e Zhvillimit për të mbështetur ekonominë e saj që u godit nga kufizimet globale të koronavirusit. /Insajderi.com