Pandemia rrit vlerën e kredive për rreth 100 milionë euro

Pandemia rrit vlerën e kredive për rreth 100 milionë euro

Rreth 100 milionë euro më shumë është rritur vlera e kredive në bankat komerciale në Kosovë gjatë këtij viti, derisa Kosova është ballafaquar me pandeminë COVID-19, njofton Insajderi.

Shuma e kredive gjatë periudhës janar-tetor të këtij viti ka arritur 1.2 miliardë euro, nga 1.1 miliard euro sa kanë qenë në periudhën e njëjtë të vitit të kaluar. Shuma e përgjithshme e kredive aktive në nëntë bankat komerciale ka arritur në 3.2 miliardë euro, me normë të interesit 6.3 për qind.

thuhet në një përgjigje nga zyra për informim e Bankës Qendrore të Republikës së Kosovës, raporton REL.

Mejdi Bektashi, profesor në Universitetin e Prishtinës, thotë se rritja e vlerës së kredive për 10 për qind ka të bëjë me përkeqësimin e situatës ekonomike, qoftë të bizneseve apo ekonomive familjare. Kështu që, sipas tij, qytetarët dhe bizneset në një mënyrë kanë qenë të obliguar që në rrethana krize të marrin kredi të reja për t’i paguar këstet e kredive të vjetra.

“Rritja e kredive për rreth 100 milionë euro në mes dy periudhave të dy viteve, ka ndodhur kryesisht për shkak se kanë pasur probleme me pagesën e kësteve. Njerëzit kërkojnë shpëtim, duke huazuar mjete për të paguar këstet e mëparshme ose për të plotësuar nevojat elementare të familjes”, thekson ai.

Ai tutje thotë se marrja e kredive ka ndodhur edhe për shkak të vonesave të zbatimit të pakove për rimëkëmbje ekonomike të miratuara nga Qeveria e Kosovës. Kështu, në mungesë të mjeteve, një numër i qytetarëve kredi kanë huazuar për të siguruar mjete rezervë, në rast të përkeqësimit të situatës apo për të shpenzuar për raste shëndetësore.

“Unë mendoj se individët jo vetëm në Kosovë, por çdokund në botë kanë perceptime për të ardhmen. Dhe, besoj se një pjesë shumë e madhe e kredive është marrë për të siguruar veten dhe familjet e tyre, për muajt ose vitin e ardhshëm. Ky nuk është fenomen veç te ne, ky fenomen është shumë më i shprehur në vendet e rajonit, po ashtu edhe në ekonomitë e zhvilluara. Pasi, qytetarët kanë rezerva të parave e ndiejnë veten më të sigurt për të ardhmen e tyre”, thekson Bektashi. /Insajderi.com