Momente paniku sot në një nga objektet më simbolike të kryeqytetit italian Romë.
Një person ka kërcënuar se do të hidhet nga një pikë e lartë e Koloseut , pasi autoritetet italiane i kishin tërhequr licencën e tij si guidë turistike.
Guida turistike kishte hipur deri në katin e dytë të Amfiteatrit Flavio duke kërcënuar me vetëvrasje.
Për disa minuta rresht ka ecur përgjatë pjesë së jashtme të kornizës së katit të dytë duke vënë seriozisht në rrezik jetën e tij, nën vështrimin e tmerruar të turistëve të shumtë që këtë paradite ndodheshin për të vizituar Koloseun.
Skuadrat e shpëtimit të zjarrfikësve dhe të forcave të policisë mundën të bindnin guidën turistike të hiqte dorë nga gjesti i tij e të zbriste.
Ky gjest ka ardhur një ditë pasi ka hyrë në fuqi normativa e miratuar nga Bashkia e Romës e cila ndalon ushtrimin në rrugë e përballë monumenteve historike të aktivitetit të promotorëve të guidave turistike.