Papa Françesku bën thirrje për t’i dhënë fund dhunës nga fjalimi i parë në Irak

Papa Françesku bën thirrje për t’i dhënë fund dhunës nga fjalimi i parë në Irak

Papa Françesku ka bërë thirrje për t’i dhënë fund “dhunës dhe ekstremizmit” në fjalimin e tij hapës në vizitën e parë papnore në Irak, prej kohësh i plagosur nga lufta dhe tani i kapluar nga pandemia e Coronavirusit, transmeton Insajderi.

84 vjeçari sfidoi një valë të dytë të pandemisë globale dhe tejkaloi frikën e sigurisë për të bërë një udhëtim “të shumëpritur” për të ngushëlluar një nga komunitetet më të vjetra të krishtera në botë, ndërsa gjithashtu thelloi dialogun e tij me myslimanët, raporton Al Jazeera.

“Mund të ketë fund të akteve të dhunës dhe ekstremizmit, fraksioneve dhe intolerancës”, tha Papa Françesku në fjalimin nxitës në pallatin presidencial në Bagdad të premten.

Françesku u ul në pasdite në Aeroportin Ndërkombëtar të Bagdadit, ku u përshëndet nga kryeministri Mustafa al-Kadhemi, si dhe grupe që shfaqnin muzikën dhe vallëzimin folklorik të larmishëm të Irakut. Ai më pas u takua me presidentin Barham Salih – i cili i kishte dërguar ftesën zyrtare Papës në 2019 – si dhe figura të tjera qeveritare dhe fetare.

Në pallat, kreu i 1.3 miliardë katolikëve në botë dha një fjalim prekës, duke theksuar rrënjët e thella të krishterimit në Irak. “Prania e lashtë e të krishterëve në këtë tokë dhe kontributet e tyre në jetën e kombit, përbëjnë një trashëgimi të pasur që ata dëshirojnë të vazhdojnë ta vendosin në shërbim të të gjithëve”, tha Papa Françesku. /Insajderi.com