Armenia, Azerbajxhani dhe Rusia kanë nënshkruar një marrëveshje për t’i dhënë fund luftimeve gjashtë javore të ashpra në konfliktin e Nagorno – Karabakhut, transmeton Insajderi.
Sipas marrëveshjes, paqeruajtësit rusë janë duke u vendosur përgjatë vijës së frontit në Nagorno – Karabakhut në korridorin midis rajonit separatist dhe Armenisë, raporton Al Jazeera.
Ndërsa kryeministri armen, Nikoll Pashinyan, e përshkroi zhvillimin si “të padëshirueshëm dhe të dhimbshëm” në një postim emocional në Facebook, në anën tjetër, presidenti i Azerbajxhanit, Ilham Aliyev, festoi, duke postuar në Twitter ku ka shkruar: “Kjo është një ditë historike, konfliktit Armenia-Azerbajxhan për Nagorno – Karabakhun po i jepet fund”.
Aliyev tha se Turqia do të marrë pjesë gjithashtu në procesin e ruajtjes së paqes.
Njoftimi ka çuar në zemërim në Jerevan, kryeqyteti i Armenisë. Njëzet minuta pas postimit të Pashinyan në Facebook, protestuesit u futën me forcë në ndërtesën kryesore të qeverisë në Jerevan, duke i bërë thirrje kryeministrit të largohet.
Pashinyan të martën tha se ai kishte përfunduar marrëveshjen e paqes nën presionin e ushtrisë së tij, e cila tha se të gjitha veprimet ushtarake në Nagorno – Karabakh ishin ndalur dhe situata ishte e qetë.
Marrëveshja erdhi pasi Armenia humbi kontrollin e një qyteti strategjik në Nagorno – Karabakhut, i njohur si Shusha nga Azerbajxhani dhe Shushi nga armenët, si dhe pas rrëzimit aksidental të një aeroplani rus nga forcat azere. /Insajderi.com