Mbi 13 mijë biznese të hotelerisë kanë pësuar humbje si pasojë e masave të fundit të miratuara nga Qeveria e Kosovës. Këto masa janë në fuqi deri më 18 prill, por nëse nuk do të ketë lehtësim, është paralajmëruar grevë dhe protesta, transmeton Insajderi.
Kryetari i Odës së Hotelerisë dhe Turizmit, Hysen Sogojeva ka bërë të ditur se bashkë me Shoqatën e Gastronomëve do të ndërmarrin masa nëse qeveria nuk e përfill marrëveshjen.
Sipas tij, nëse nuk lirohen masat edhe pas datës 18 prill, do ndërmarrin të gjitha masat duke mos përjashtuar as grevën e protestat.
“Mendojmë që shpejtë do takohemi, kemi paralajmërime që nesër dhe në bisedë e sipër do të zbutim këtë gjendje, por përndryshe Oda ka marrë vendim që bashkërisht me gastronomët sepse kemi nënshkruar marrëveshje, dhe nëse nuk lirohen masat sepse nuk ka kuptim që më të merremi me këtë punë, këta sektorë do të hapen”, është shprehur ai në një intervistë për EO.
Tutje, Sogojeva ka theksuar se kanë edhe mbështetjen e këngëtarëve dhe estradës në çdo lloj vendimi që marrin.
“Ata janë pjesë e Odës, kemi drejtorin e estradës Afrim Muqiqin, dhe që po bën një punë të madhe sepse po themelohen bazat e punës tonë dhe që janë përkrah neve për çdo lloj vendimi”, ka deklaruar ai.
Qeveria ka marrë vendim që të gjitha bizneset e gastronomisë dhe hotelerisë të jenë të mbyllura nga data 7 prill deri më 18 prill, kurse qarkullimi i qytetarëve është ndërprerë nga pra 22:00 deri në orën 05:00 të mëngjesit./Insajderi.com