Ndonëse jozyrtarisht, Qendra e Studentëve në Prishtinë është përmendur si një nga lokacionet ku pritet të bëhet strehimi i refugjatëve afganë që pritet të vijnë në Kosovë ditëve në vijim.
Por, nga Parlamenti Studentor i Universitetit të Prishtinës “Hasan Prishtina” kanë kundërshtuar mundësinë që QS-ja të shndërrohet në kamp për refugjatët.
Nënkryetari i Parlamentit Studentor, Fatlind Azizi, në një prononcim me shkrim për Gazetën Online Shqip.com tha se një gjë e tillë “është e pakuptimtë dhe dëmton rëndë interesin e studentëve të UP-së”.
Ai theksoi se nuk janë kundër pranimit të refugjatëve afganë në Kosovë, por shtoi se strehimi i tyre s’mund të bëhet në një vend që është ekskluzivisht i krijuar vetëm për studentët.
Sipas tij, një veprim i tillë bie ndesh me Statutin e Qendrës së Studentëve, cenon të drejtat legjitime të studentëve dhe mbi të gjitha hedh poshtë edhe vetë emërtimin e këtij institucioni.
“Tani gati 30 ditë para fillimit të vitit të ri akademik, ne po i mohojmë të drejtën e banimit/ushqimit të rreth 4.000 studentëve, e në qoftë se vendoset 1 student për 1 dhomë, ne po i lëmë në rrugë rreth 1.400 studentë, po i ngarkojmë 1.400 familje kosovare”.
Azizi shton se në Kosovë ka vende dhe qendra të tjera ku refugjatët mund të vendosen.