Pas barazimit, Afrim Tovërlani ankohet në gjykim

Pas barazimit, Afrim Tovërlani ankohet në gjykim

Trajnerin i Feronikelit, Afrim Tovërlani e vlerëson të pakuptueshëm barazimin e Feronikelit me Drenicën sot, pasi sipas tij, Drenica kishte vetëm dy raste dhe të dyja këto raste I ktheu në gola, duke nxjerrë një barazim të vlefshëm ndaj ekipit të tij.

“Kjo që na ndodhi është e pakuptueshme. Drenica erdhi te porta jonë dy herë dhe realizoi dy herë. Ata kanë skuadër më të shkurtër, por shënuan golin e barazimit në atë mënyrë”, u shpreh Tovërlani për Art Sport, transmeton Insajderi.

“Pastaj sa i përket referimit, nuk kam dëshirë të komentoj, mirëpo ishte një gjyqtar i papërgatitur për këtë nivel loje”, shtoi Tovërlani, duke ngritur akuza në gjykim, në dy javë radhazi.

“Nuk e di se kush e bën orarin e ndeshjeve – por ne duhet të zhvillojmë katër ndeshje në nëntë ditë, ndërsa kundërshtarët tanë, si Ballkani herën e kaluar, po e kanë gjithmonë një ditë më shumë pushim”, vazhdoi me kritika Tovërlani.

Trajneri i Feronikelit, ndjen se do t’i duhet të bëjë analiza të thella për të parë problemet e ekipit të tij./Insajderi.com.