Pas barazimit ndaj Veronës, Andrea Pirlo fajëson fushën

Pas barazimit ndaj Veronës, Andrea Pirlo fajëson fushën

Trajneri i Juventusit, Andrea Pirlo fajësoi fushën e Veronës për barazimin 1-1 të skuadrës së tij natën e mbrëmshme, njofton Insajderi.

Për “DAZN”, tekniku i ‘bardhezinjve’ theksoi se gjithmonë përballjet me Veronën janë të vështira për shkak të intensitetit të lartë të lojës së kundërshtarëve.

Për sa i përket ndeshjes, Pirlo shtoi se skuadrës së tij i mungoi personaliteti për ta mbyllur sfidën me fitore.

“Më vjen keq për rezultatin. E dinim që do të ishte e vështirë dhe një ndeshje e pistë. Na mungoi agresiviteti në kohën kur ata na sulmuan shumë. Janë disa gjëra të vogla që lojtarët e rinj ende nuk i kuptojnë”, tha fillimisht Pirlo.

Më tutje, tekniku italian foli edhe për kundërshtarin. “E dinim që Verona luan me shumë intensitet të lartë dhe që do të na kushtonte shumë energji. Me këtë fushë në gjendje jo të mirë, topat mbërrijnë me vështirësi. Është normale pastaj të ndihet lodhja dhe pastaj vjen mungesa e qartësisë. Është gjithmonë e vështirë”, përfundoi trajneri i Juventusit, Andrea Pirlo. /Insajderi.com