Pas rënies së lirës turke, shtohen vizitat e kosovarëve në Turqi

Nga Aeroporti Ndërkombëtar i Prishtinës “Adem Jashari”, thonë se gjatë javës së fundit është parë një rritje e dukshme e numrit të udhëtarëve drejt këtij vendi, krahahsuar me javën e parë të muajit që lamë pas.

Pas rënies së lirës turke, shtohen vizitat e kosovarëve në Turqi

Me rekordin e ri të uljes së vlerës së lirës turke, është parë një rritje e interesimit të kosovarëve për të vizituar Turqinë, pavarësisht gjendjes së krijuar nga pandemia COVID-19.

Madje izolimi apo kufizimi i mundësive për udhëtime në vetëm destinacionin e shtetit turk, përveç Shqipërisë e Maqedonisë, ka ndikuar që të ketë një ngritje të fluksit masiv të vizitave dy-tre ditore në Stamboll.

Kështu thotë në një intervistë për Gazetën Online Insajderi, drejtori i agjencionit turistik ‘Globus Travel Kosova’, Fisnik Dragusha, sipas të cilit janë edhe disa faktorë të tjerë që qytetarët kanë parasysh kur bëhet fjalë për udhëtimet drejt këtij shteti.

Dragusha shprehet se rënia drastike e çmimeve të veshëmbathjeve nga brendet më me renome botërore si rezultat i ekonomisë, por edhe më shumë si rezultat i këmbimit të monedhës lirë në euro, ku tani një euro vlenë sa 9.7 lira, është një nga arsyet pse Stambolli edhe gjatë këtij periudhe vazhdon të jetë ndër vendet e para në listën e vizitave vjeshtore.

“Gjithashtu vlenë të theksohet që hotele shumë luksoze tanimë janë duke u ofruar me çmime shumë atraktive dhe po konbinohen mirë me nevojat e qytetarëve kosovarë”, ka thënë tutje Dragusha.

Ai më tej tha se shifrat e udhëtarëve gjatë këtij viti janë të ngjashme me ato të viteve të kaluara meqë derivohen nga kapacitetet që ofrojnë aviokompanitë, mirëpo nuk mohoi se marketing është bërë më i madh këtë vit, duke pasur parasysh se nuk ka opsione tjera të udhëtimit.

“Janë aviokompanitë Turkish Airlines dhe Pegasus Airliens që programojnë këto paketa dhe zakonisht secila prej tyre ofron një shifër prej katër apo pesë mijë ulese, përgjatë periudhës Shtator 2020, Mars 2021, të cilat pastaj mbushen përmes agjencive turistike operatore”, ka përfunduar Dragusha.

Ndërkaq, nga Aeroporti Ndërkombëtar i Prishtinës “Adem Jashari”, thonë se gjatë javës së fundit është parë një rritje e dukshme e numrit të udhëtarëve drejt këtij vendi, krahahsuar me javën e parë të muajit që lamë pas.

Zëdhënësi për media i ANP-së, Bujar Gashi, në një përgjigje për Insajderin tha se nga data 24 deri më 31 tetor, janë realizuar gjithsej 52 fluturime – shkuarje dhe ardhje, ndryshe prej ditëve të para të këtij muaji, që u regjistruan 35 fluturime në total.

“Nga data 24 Tetor, deri më datë 31 janë gjithsej 26 fluturime në shkuarje dhe po aq në ardhje, 52 fluturime, shkuarje dhe ardhje. Ndërsa, nga data 1-7 Tetor kemi 35 fluturime shkuarje dhe ardhje”, ka thënë Gashi.

Lira turke u dobësua edhe më tej ndaj euros dhe dollarit më datë 27 tetor, duke arritur një rekord të ri të uljes, ndërsa inati midis Ankarasë dhe aleatëve të saj perëndimorë vazhdon të acarohet pasi banka qendrore ka vendosur të mos rrisë kostot e huazimit disa ditë më parë.

Kjo goditje gjeopolitike po shqetëson gjithashtu investitorët, meqë është duke u përfshirë një përçarje e thelluar midis Turqisë dhe Francës, meqë presidenti turk, Rexhep Tajip Erdogan, u bëri thirrje turqve të bojkotojnë mallrat franceze.

Konflikti në Nago-Karabak dhe mosmarrëveshja e Ankarasë me Greqinë mbi të drejtat detare dhe burimet natyrore në Mesdheun Lindor po shtojnë gjithashtu tensionet gjeopolitike. /Insajderi.com