PSG-ja është klubi që ka prishur konkurrencën në Francë me investimet e bëra në skuadër. Megjithëse nuk po arrijnë që të fitojnë trofeun e “Champions League”, PSG zgjedh që të ngushëllohet gjithmonë me kompeticionet në Francë. Gjatë mbrëmjes së djeshme mbërriti edhe triumfi në Supërkupë teksa mposhti Marseille në rezultatin 2-1.
Icardi do të shënonte në pjesën e parë, ndërsa Neymar nuk do të gabonte nga pika e bardhë për të dyfishuar shifrat kur takimi po shkonte drejt fundit. Payet kërkoi që të rihapte historinë e mbyllur në minutën e 89-të, duke bërë që realizimi i tij t’i shërbejë vetëm statistikave.
Vërtet interesant është fakti se ky ishte titulli i parë që ka fituar në karrierën e tij trajneri i ri i PSG-së, Pochettino. Pavarësisht shumë fitoreve dhe ngritjes që i bëri Totenhemit, duke shkëlqyer edhe pa ndërhyrje në merkato, Pochetino nuk kishte arritur ende që të kurorëzohej. Por festa e parë në karrierë ka ardhur vetëm 11 ditë pasi mori PSG-në, teksa do të zëvendësonte teknikun gjerman Tuchel. /Insajderi.com