Pavarësisht njoftimit për armëpushim, luftimet vazhdojnë në Sudan

Pavarësisht njoftimit për armëpushim, luftimet vazhdojnë në Sudan

Mediat arabe thanë se udhëheqësit ushtarakë të Sudanit dhe grupi paraushtarak i Forcave të Mbështetjes së Shpejtë kishin rënë dakord për një pauzë 24-orëshe në luftime, duke filluar nga ora 6 pasdite, por kishte ende raportime se luftimet nuk janë ndalur.

Po ashtu, është raportuar se, deri më tani, afërsisht 200 persona janë vrarë në katër ditët e konfliktit.

Luftimet po zhvillohen në mbarë Sudanin dhe është rritur frika se ky konflikt mund të përhapet në mbarë rajonin, teksa në Sudan po kryhen sulme ajrore dhe ka luftime me artileri të rëndë.

Përmes një deklarate, ministrat e Jashtëm të Grupit të Shtatë shteteve më të industrializuara (G7) paralajmëruam se luftimet “kërcënojnë sigurinë e civilëve sudanezë dhe minojnë përpjekjet për të rivendosur tranzicionin demokratik në Sudan”.

Por, pavarësisht thirrjeve të tyre që palët t’u japin fund armiqësive, mëngjesin e së martës janë dëgjuar shpërthime të fuqishme në Kartum, ku milicitë dhe ushtarët po luftojnë.

“Bombardimet zakonisht nisin rreth orës 04:00 dhe vazhdojnë për disa orë. Por, sot ato nuk kanë ndaluar”, tha banorja e Kartumit, Dallia Mohamed Abdelmoniem.

Ajo tregoi se familja e saj, sikurse edhe banorët e tjerë të kryeqytetit, po strehohen në shtëpitë e tyre.

Teksa luftimet po vazhdojnë, sekretari amerikan i Shtetit, Antony Blinken, ka biseduar me të dy gjeneralët dhe gjatë bisedave ka theksuar “për nevojën urgjente për një armëpushim”.

Daglo tha në Twitter pas bisedës me Blinkenin se forcat e tij kanë miratuar një armëpushim 24-orësh, që do t’u lejonte civilëve të evakuonin të plagosurit.

Megjithatë, ushtria e mohoi këtë pretendim.

“Ne nuk jemi në dijeni për ndonjë koordinim me ndërmjetësit dhe me komunitetin ndërkombëtar për ndonjë armëpushim. Po ashtu, deklarata e rebelëve për një armëpushim 24-orësh synon që të fshehë goditjen që do të marrin nga ne brenda orësh”, kanë thënë nga ushtria.

Në Sudan, teksa luftimet po vazhdojnë, SHBA-ja ka deklaruar se një autokolonë diplomatike amerikan ka qenë cak i sulmit, por nuk ka pasur të lënduar. Po ashtu, ambasadori i Bashkimit Evropian në Sudan është sulmuar në shtëpinë e tij në Kartum të hënën. /Insajderi.com