PDK i kërkon qeverisë ta zbatojë Ligjin për rimëkëmbje ekonomike

PDK i kërkon qeverisë ta zbatojë Ligjin për rimëkëmbje ekonomike

Nënkryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Bedri Hamza, ka kërkuar nga Qeveria e Kosovës e udhëhequr nga Albin Kurti, që ta zbatojë Ligjin për rimëkëmbje ekonomike, i miratuar në Kuvendin e Kosovës, njofton Insajderi.

Hamza përmes një konference për medie ka theksuar se duhet të nis shpërndarja e mjeteve për bizneset, pasi sipas tij, qeveria është duke u vonuar sa i përket masave për rimëkëmbjen e ekonomisë.

“Kosova deri tash ka pranuar një numër simbolik të vaksinave. E kuptoj që nuk është e lehtë të arrish kontrata për sigurimin e vaksinave. Situata është serioze, por më serioze e bën mbyllja. Për këto masa është dashur të paralajmërohet më herët. Prandaj duhet të ketë masa të qarta dhe të zbatohet ligji. Kam dëgjuar se qeveria do t’i kompensojë bizneset duke ua paguar qiratë dhe pagat e punëtorëve, por humbjet e bizneseve janë shumë më të mëdha. Ne kërkojmë që 200 milionë eurot e ndara të kalojnë në biznese, ndërsa 30 milionët e ndara t’i marrin ata që i kanë humbur vendet e punës”, ka deklaruar ai.

Hamza ka folur edhe për dialogun me Serbinë. I pyetur nëse PDK-ja do të marrë pjesë në këtë proces ai ka theksuar se do të presin se si do të veprojë Qeveria dhe Presidenca si dhe do të shohin se me çfarë plani do t’i qasen këtij procesi./Insajderi.com