Peja mposht Rahovecin, kalon në finalen e Ligës Unike

Peja mposht Rahovecin, kalon në finalen e Ligës Unike

Peja ka mposhtur Rahovecin me shifrat 73:71 në gjysmëfinalen e Ligës Unike, kështu ekipi nga “Karagaçi” siguron finalen e edicionit të parë të Ligës Unike në basketboll, që po zhvillohet me pjesëmarrjen e ekipeve nga Kosova dhe atyre nga Shqipëria, njofton Insajderi.

Që në start ndeshja ishte e balancuar, teksa perioda e parë e takimit u mbyll me dy pikë epërsi për Rahovecin 17:15. Gjithashtu edhe 10-të minutëshi i dytë i ndeshjes ishte i balancuar, pasi këtë çerek e fituan pejanët me katër pikë diferencë (16:20), duke shkuar në pushim me dy pikë epërsi 33:35.

Fillimi i pjesës së dytë, më saktë çereku i tretë i ndeshjes i dha verdiktin final këtij takimi, pasi ‘verdhezinjët’ e fituan me epërsi të lartë 13:30, ku rezultati në semafor pas 30’ minutash lojë ishte 46:65.

Në çerekun e fundit të ndeshjes, ‘vreshtarët’ filluan një seri prej 17:2, duke afruar rezultatin në katër pikë diferencë (63:67). Ndërsa, kur kishin mbetur edhe 10” sekonda deri në mbyllje të takimit, Rahoveci kishte aksionin e fundit, por Darell Davis nuk u tregua i saktë, duke bërë që Peja të caktohet si finalisti i parë.

Te Rahoveci u dallua Darell Davis me 35 pikë, kurse te Peja u dalluan Brandon Walters me 20 pikë e 11 kërcime, Lis Shoshi me 18 pikë e 10 kërcime dhe Aj Walton me 18 pikë dhe tetë kërcime.

Të mërkurën (nesër), zhvillohet ndeshja për vendin e tretë dhe finalja. Çifti tjetër gjysmëfinal është ai mes Goga Basket dhe Golden Eagle Yllit. /Insajderi.com